U promovuan tre libra të rinj, botime të Shtëpisë Botuese “Armagedoni”
- October 11, 2019
Sot, në ditën e tretë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovuan tre libra të autorëve Adil Ollurit, “Kthimi i profetit” dhe dy libra nga autori Agron Shala, “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”.
Në fjalën e tij autori i veprës “Kthimi i profetit”, Adil Olluri, tregoi se qëllimi primar i këtij libri ishte që ta krijonte një personazh të profetit i cili ishte më shumë sofist.
“Qëllimi im primar ishte që ta krijoj një personazh të profetit që është më shumë sofist sesa profetit i cili njihet dhe na jep religjioni. Edhe në fillim të tregimit shkruan që ky nuk është profeti që e gjeta mes jush por e solla unë, gjë që arti ta lejon”, u shpreh Olluri.
Olluri tha se në shumicën e rasteve tregimet kanë lindur në mënyrë spontane gjatë procesit të të shkruarit.
“Shumë tregime kanë lindur spontanisht gjatë procesit të të shkruarit, shpeshherë ka ndodhur duke e shkruar një tregim të lind ideja për një tregim tjetër”, u shpreh autori Olluri.
Në programin e sotëm të promovimeve, u përuruan edhe dy libra të rinj të autorit Agron Shala “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”. Këta lira konsiderohen si vepra që kanë kaluar pritshmëritë, pasi që në këto vepra është një lloj kombinimi i dijeve, ku autori Agron Shala, trajton filmin, muzikën, letërsinë si dhe në veprat e tij ka kuptim dhe përcjell mesazh të rëndësishëm.
Në promovimin e dy librave të tij, autori Agron Shala, falënderoi Kolegjin AAB për mundësinë e promovimit të librave, duke shpjeguar se në librin “Andrra në beze” është munduar që të zbërthejë problemet mes veprave artistike nga bota.
“Jam munduar që problematikën, realitetin tonë shqiptar jo vetëm në aspektin kulturor por edhe në aspektin politik, sociologjik ta ndërthurim me shembuj nga bota. Si pikënisje e kam marrë filmin, dhe janë 20 ese që si pikënisje i kanë 20 filma, pra realitet që trajton problematikat dhe i kam ndërlidhur edhe me realitetin tonë”, u shpreh autori Shala.
Ndërsa për veprën “Korça sipas një kosovari”, autori shpjegoi që ky libër është si një guidë për këtë qytet, pra është një histori shumë mirë e përmbledhur. Ai, tutje shtoi se fatkeqësisht kosovarët me qytetarët e Korçës i bashkojnë më së shumti problemet, pasi që ai konsideroi se në dy vendet ka zhgënjime nga politika e shpërngulje të mëdha.
Të tre librat e promovuar sot në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, janë botime të Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.
Panairi Vjeshtor i Librit në Kolegjin AAB do të jetë i hapur edhe nesër, ndërsa të gjitha shtëpitë botuese pjesëmarrëse kanë ofruar çmime speciale për vizitorët.