U promovua libri “Hyj ndër yj” i autores nga Shqipëria, Anila Varfi

Në prani të dashamirëve të librit dhe studentëve, sot në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovua libri “Hyj ndër yj” i autores nga Shqipëria, Anila Varfi.
Autorja e librit, Anila Varfi falënderoi Kolegjin AAB për këtë mundësi të promovimit të librit si dhe shtoi ata që do ta lexojnë librin shpreson që ta gjejnë veten diku mes rreshtave.
Libri “Hyj ndër yj” flet për dhimbjen e motrës që ka përjetuar vdekjen e vëllait, pra përshkruhet dashuria e madhe ndaj motrës dhe vëllait, ku autorja me këto poezi e ka përjetësuar dhimbjen në këtë libër duke e ndarë me të tjerët.


Shkrimtarja dhe studiuesja Ilire Zajmi-Rugova, përshkroi tematikën e librit duke thënë se autorja me këtë vepër ka bërë përpjekjen e parë të saj në poezi duke ja kushtuar krejtësisht vëllait të saj të vdekur.
“Disa nga poezitë e këtij libri pikojnë dhimbje pasi që kanë dalë nga një zemër motre që vuan tmerrësisht humbjen e njeriut të dashur, por atë humbje e skalit bukur në vargje, e lavdëron me finesë, për të bërë të pavdekshëm kujtimin për të”, u shpreh Zajmi-Rugova.
Promovimi i këtij libri u përcoll me disa poezi të lexuara nga aktorja Xhejlane Tërbunja.
Vlen të përmendet që edicioni i dytë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, do vazhdojë deri më 12 tetor 2019, në ambientet modern të Kolegjit AAB.

U promovuan dy libra për figurën e Ali Pashë Tepelenës, botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, sot, në ditën e dytë u promovuan dy libra të rinj botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat Britanike” dhe “Korrespodencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës” vëllimi I, të autorit Irakli Koçollari. Si historian i njohur, me një përvojë 20 vjeçare në mësimdhënien në universitet, autori Koçollari, foli për historinë e kombit shqiptar, duke theksuar se jemi me fat që i përkasim një populli që gjithmonë i ka dhënë historisë kontribut të veçantë. Ai përmendi faktin se paraardhësit tanë, ilirët, përmenden edhe nga babai i historisë botërore, Herodoti, dhe ndryshe nga popujt e tjerë arritën ta ruajnë identitetin e tyre, duke ruajtur gjuhën e traditën nga pushtimi romak fillimisht, dhe jo siç kishte ndodhur me hiberët paraardhësit e spanjollëve apo galët, të parët e francezëve. Autori i librave të promovuar sot në kuadër të programit të promovimeve në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, Irakli Koçollari, foli edhe për mbijetesën e popullit tonë ndaj pushtimit osman dhe vuri theksin pikërisht te figura e Ali Pashë Tepelenës, kontributi i të cilit pasqyrohet në këta dy libra. Ai tha se Ali Pashë Tepelena, është një figurë e veçantë që zë vend në historinë e popullit shqiptar dhe në kërkimet që ka hasur në historiografinë zyrtare shqiptare, Ali Pashë Tepelena, trajtohej si njëri ndër pashallarët i cili tentoi të shkëputej për të krijuar shtetin dhe për t’u pavarësuar. Ndërsa, sa i përket, njohjes dhe fuqisë që kishte pashallëku i Janinës, Ali Pashë Tepelena  arriti që në kohën e tij  të ndërtojë raporte politike dhe diplomatike, për shkak të faktit se u bë faktor i rëndësishëm me fuqitë më të mëdha në Evropë. Autori Koçollari,  shpjegoi se si asokohe arritën të akreditojnë dhe të ngrisin ambasada fuqitë e mëdha si Rusia, Anglia dhe Franca në territorin e Janinës dhe Beratit. Gjithashtu, ai, shtoi se historiografia duhet të shihet me kujdes pasi që ka burime dhe gjëra shumë me interes dhe të cilat janë  mjaft të rëndësishme për kombin shqiptar. Në fund të këtij autori Irakli Koçollari, zhvilloi edhe një bashkëbisedim me audiencën studentore, të cilët shprehën interesimin e tyre për figurën e Ali Pashë Tepelenës. Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, vazhdon deri më 12 tetor 2019, në ambientet e Kolegjit AAB.

U promovua libri monografik “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” i autorit Arianit S.Maraj

Në kuadër të programit të promovimeve të titujve të rinj, në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, sot u promovua libri monografik “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet”, i autorit Arianit S.Maraj.
Autori Maraj, doktor i shkencave kompjuterike, përfitues i Bursës Fulbright për studime postdiplomike, njëherësh profesor ne Kolegjin AAB, me këtë libër i kontribuon literaturës shqipe mbi sigurinë kibernetike e cila është tejet e mangët.

Libri “Siguria dhe privatësia e të dhënve në internet”, botim i Shtëpisë Botuese AAB, i sapo dalë nga shtypi, përbëhet nga gjithsej 7 kapituj, në të cilët autori trajton gjerësisht: sfidat e sigurisë kibernetike, kërcënimet që cenojnë sigurinë dhe privatësinë, sulmet në bazat e të dhënave, si dhe bën dallimin esencial në mes të sigurisë dhe privatësisë.
Në fjalën e tij në kuadër të promovimit të librit, autori Maraj tha se motivin për ta nxjerrë këtë libër e ka gjetur te mungesa dhe nevoja për literaturë të tillë në gjuhën shqipe, nevoja për mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike në Kosovë pasi që rritja e përdorimit të teknologjisë, si në të gjithë botën, ashtu edhe tek ne, ka bërë që të jemi të prirë ndaj sulmeve të tilla. Ai gjithashtu përmendi se arsye e botimit të këtij libri është edhe fakti që në Kosovë është rritur numri i klientëve fundorë të cilët me anë të teknologjisë dhe përdorimit të aplikacioneve online bien pre e keqpërdorimeve të ndryshme.
Në promovimin e librit, foli edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB, prof.dr. Jusuf Qarkaxhija, i cili përmblodhi në pika të shkurtëra përmbajtjen dhe trajtimin e librit nëpër kapituj.
Libri “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” konsiderohet si kontribut i madh në fushën profesionale të shkencave kompjuterike ndërsa për studentët do të mund të përdoret edhe si material shtesë në studime.
Autori Arianit Maraj, falënderoi botuesin, Kolegjin AAB, për mbështetjen e botimit të librit, por edhe për përkrahjen e vazhdueshme që u jep stafit akademik në fushën e kërkimit shkencor.
Të gjithë të interesuarit, librin “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” do të mund ta gjejnë në stendën e Shtëpisë Botuese AAB, në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.

Nisi edicioni i dytë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019

Prishtinë, 09.10.2019

Nga sot deri më 12 tetor 2019, Kolegji AAB do të jetë nikoqir i rreth 50 shtëpive botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Franca, etj. në kuadër të edicionit të dytë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.
Në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, prof.dr. Hasan Saliu tha se Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, ka për qëllim që në mjediset universitare të bëjë bashkë botuesit dhe lexuesin: “Ne këtu në AAB kemi një qytet të tërë lexuesish, rreth 20 mijë sish që janë studentë e staf akademik”.
Saliu theksoi se pavarësisht asaj se libri fizik (ai në letër) po konkurrohet gjithnjë nga ai elektronik, megjithatë ne nuk e shohim si kërcënim por si palë bashkëvepruese. “Kolegji AAB si institucioni arsimor më i dixhitalizuar në rajon, vazhdon të organizojë ngjarje të këtilla të ekspozimit masiv të formatit tradicional të librit”, tha Saliu.
Tradita e organizimit të Panairit të Librit u vlerësua shumë edhe nga drejtoresha e Drejtorisë se Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila tha se kjo ngjarje është e rëndësishme sepse kthen vëmendjen te bibliotekat dhe te leximi, që është lanë anash dhe kjo na kujton se sa e rëndësishme është t’ i kthehemi librit për zhvillimin tonë mendor, psikologjik, emocional e kreativ.
“Kultura dhe arsimi janë dy shtylla shumë të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie, andaj organizimi i një panairi të librit në një ambient universitar është një gërshetim shumë i mirë është një aktivitet shumë i nevojshëm dhe i mirëseardhur”, tha Basholli.
Në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, foli sekretari i shoqatës, z.Arbër Rrahmani.
“Një organizim i këtillë është për të mirën e shëndetit të librit. Çdo organizim aty ku janë botuesit, aty ku janë studentët është në të mirën e shoqërisë sonë. Libri ka nevojë të jetë sa më afër lexuesit” tha Rrahmani, i cili falënderoi Kolegjin AAB dhe të gjithë botuesit që marrin pjesë, dhe të gjithë ata që tregojnë interesim të shtuar për librin në përgjithësi.
Ceremonia solemne e hapjes së Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u përcoll edhe me një program artistik nga pianistja Elizabetë Qarri dhe sopranoja Arta Jashari.
Panairi do të jetë i hapur çdo ditë deri më 12 tetor, nga ora 08.00-18.00. Krahas ekspozimit dhe shitjes së librave me çmime speciale për studentë, në kuadër të programit të këtij edicioni do të bëhet edhe promovimi i dhjetëra titujve të rinj.
Kolegji AAB për të gjithë dashamirët e librit, ka siguruar edhe transport falas nga qyteti deri në kampus dhe anasjelltas.