U promovua libri “Vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore” i autorit Fejzullah Hasani

Listës së librave të promovuar gjatë Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, iu shtua edhe një botim tjetër i Shtëpisë Botuese AAB. Fjala është për librin “Vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, autor i të cilit është Fejzullah Hasani.

Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale, i cili foli më shumë për tematikën që është shtjelluar në këtë libër, tha: “Vrasja është një ndër veprat më të rënda që një njeri mund t’ ia bëjë tjetrit. Kjo lloj vrasjeje që autori e ka shtjelluar ka kuptimin e “vrasjes së lehtë”, pasi që në këtë rast viktima kontribuon shumë dhe pasi kontributi i viktimës është shumë i madh. Vrasja në gjendje tronditjeje mendore dënohet pak”, tha në mes tjerash prof. Ismet Saliu.

Ndërsa autori i këtij libri u shpreh se ka qenë në dilemë për shkrimin apo jo të këtij libri.

“Ligji përmban diku rreth katër fjali sa i përket këtij ligji në Kodin Penal dhe ka qenë sfiduese të shkruhet ky libër, pasi që çdo gjë që shkruhet duhet të jetë e saktë në mënyrë që mos ta çorientojë zbatuesin e drejtësisë”, tha Fejzullah Hasani.

Ndëra në fjalën e tij, Prof. Dr.Petrit Bushi foli për vlerën e këtij libri dhe për rëndësinë që ka jo vetëm për studentët por edhe kategoritë tjera të fushës juridike.

”Ky libër është i përmbledhur si një monografi dhe është i organizuar në katër pjesë kryesore. Ka disa vlera që do të ndihmojnë shumë studentët, mirëpo ky libër i shërben edhe kategorive tjera si: gjyqtarëve, avokatëve, prokurorëve në mënyrë që të vlerësojnë sa më objektivisht një çështje të komplikuar sikur që është vrasja në një gjendje të veçantë”.

Të pranishmit në këtë promovim ishin edhe studentë nga fakulteti Juridik të cilët shtruan pyetjet nga fusha e tyre lidhur me këtë libër.

U promovua libri “ E Drejta Penale”, i autores Vjosa Jonuzi-Shala, botim i Shtëpisë Botuese AAB

Në mesin e dhjetëra librave të promovuar gjatë Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovua edhe libri “E Drejta Penale” i autores Vjosa Jonuzi-Shala, botim i Shtëpisë Botuese AAB.

Në fjalën e tij në këtë promovim, dekani i Fakultetit të Administratës Publike, Prof. Dr.Petrit Bushi e cilësoi këtë libër si të kompletuar për të qenë libër universitar:

“Ky është libër i cili ka kaluar filtrat për të qenë universitar, një libër që të jep më shumë informacion shkencor. E veçanta është që vetë libri është i organizuar dhe i përshtatur sipas Kodit Penal të vitit 2019 të Republikës së Kosovës, dhe shpesh them se gjithçka që ne duhet të bëjmë është ta transferojmë në mënyrën më të kapshme për brezat e tjerë”.

Autorja e librit Prof. Dr.Vjosa Jonuzi-Shala, duke e orientuar fjalimin e saj në boshtin e trajtesës së librit foli për rolin e Kodit Penal në nivel shtetëror.

“Kodet Penale janë ato ligje që nuk ndryshohen çdo pesë vjet. Prej vitit 2004 ne kemi pasur tre kode penale. Kodi Penal si i tillë duhet ta dëshmojë stabilitetin shtetëror, ai është sinonim i stabilitetit që për fat të keq mungon, pasi ne mesatarisht çdo pesë vjet nxjerrim kode të reja që nuk ndryshojnë substancialisht, derisa në vendet perëndimore kodet penale janë të njëjtat që prej viteve të mëhershme”.

Interesimi i pjesëmarrësve ku morën pjesë studentë e profesionistë të kësaj fushe, ishte i theksuar gjatë këtij promovimi, ndërsa të pranishmit shfrytëzuan mundësinë për të bërë pyetje rreth librit të sapodalë.

U promovuan dy libra të Delia Steinberg Guzman, “Heroi i Përditshmërisë” dhe “Lojërat e Majës”

Edhe dy tituj të rinj “Heroi i Përditshmërisë” dhe “Lojërat e Majës”, të autores Delia Steinberg Guzman, botime të Shtëpisë Botuese “Akropoli i Ri”, u promovuan në kuadër të edicionit të dytë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.

Libri “Heroi i përditshmërisë” ka gjithsej 29 kapituj në të cilin gjenden tematika që përshkojnë shekullin XXI duke filluar me dashurinë, frikën, lirinë, ankthin, vetëbesimin, etj..

“Ky libër përshkruan një “hero” jo siç jemi mësuar ta njohim prej filmave apo ngjarjeve jetësore por një hero që mbijeton çdo ditë dhe që gjendet brenda secilit prej nesh. Autorja dëshiron të zgjojë shpirtin e heroit tek secili individ duke u përballur me çdo problem që na del përpara. Madje sipas autores në botën të cilën po jetojmë (zhvillimin teknologjik) nuk po ia dalim siç duhet, pasi në vend se të arrijmë zgjidhjen e një problemi ne arratisemi në telefonat tanë duke lejuar kështu grumbullimin e dhimbjes që shkakton ai problem”, tha ndër të tjera Agmie Osmani, nga “Akropoli i Ri”.

Ndër të tjera, shtoi Osmani, në këtë libër shpjegohen disa rrugë për të mos ndjerë frikë në mënyrë që të arrijmë të menaxhojmë dhe mbrojmë anën e brendshme tonën.

Ndërsa libri tjetër i cili u promovua sot, ishte “Lojërat e Majas”, po ashtu botim i Shtëpisë Botuese “Akropoli i Ri”, i cili u prezantua nga Shpresa Kushaj.

Në fjalën e saj, Kushaj tha se “Lojërat e Majas” është libër në të cilin autorja Guzman sqaron disa çështje interesante që njerëzit gjithmonë pyesin rreth tyre si: jeta, vdekja, vullneti, mendimi dhe  intuita.

Të dy librat zgjuan interesim të madh në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019.

U promovua libri “Etnografia në diktaturë. Dija, shteti dhe holokausti ynë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, është promovuar libri “Etnografia në diktaturë. Dija, shteti dhe holokausti ynë”, i autorëve nga Shqipëria Prof. Dr.Nebi Bardhoshi dhe Prof. Dr.Olsi Lelaj, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Të dy autorët e librit rrëfyen për të gjitha rrugët që ndoqën deri në gjetjen e fakteve, provave teknike, zbatimit të kulturave dhe çdo gjë tjetër deri në finalizimin e këtij libri. I pranishëm në promovimin e këtij libri ishte edhe Arsim Canolli profesor në degën e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, i cili bëri një shpjegim të shkurtër rreth përmbajtjes së librit.

Canolli e prezantoi librin, si një përshkrim të gjerë bashkautorial me rreth tre katër vite studimi, ky libër përshkruan historinë e zhvillimit të shkencës në Shqipëri dhe studimin e raportit të etnografisë  me shtetin totalitar atje, pikërisht në kohën e komunizmit. “Më se e vështirë është të imagjinohet se si mund të zhvillohet shkencë në një situatë të atillë ku çdo gjë funksionon në formë të piramidës ku diktatori dikton çdo gjë”, tha në mes tjerash antropologu Canolli. Promovimi solli edhe një bashkëbisedim të autorëve të librit Nebi Bardhoshi e Olsi Lekaj, me studentët dhe pjesëmarrësit në këtë ngjarje.

Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, e vizitoi edhe Albin Kurti

Panairi Vjeshtor i Librit në Kolegjin AAB po vazhdon të jetë i hapur për të gjithë dashamirët e librit duke iu ofruar qindra tituj nga botues vendor dhe ndërkombëtarë. Sot, pjesë e këtij panairi ishte edhe fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, z.Albin Kurti i cili u krahas vizitës së panairit takoi edhe studentë e mësimdhënës në Kolegjin AAB. z.Kurti i cili njihet për pasionin e tij për lexim, edhe gjatë kësaj vizite në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, zgjodhi një sërë librash për të blerë, por pati edhe të tilla që iu dhuruan nga shtëpitë botuese. Panairi do të jetë i hapur deri më 12 tetor, nga ora 08.00-18.00. Krahas ekspozimit dhe shitjes së librave me çmime speciale për studentë, në kuadër të programit të këtij edicioni do të bëhet edhe promovimi i dhjetëra titujve të rinj.

U promovuan tre libra të rinj, botime të Shtëpisë Botuese “Armagedoni”

Sot, në ditën e tretë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u promovuan tre libra të autorëve Adil Ollurit, “Kthimi i profetit” dhe dy libra nga autori Agron Shala, “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”.
Në fjalën e tij autori i veprës “Kthimi i profetit”, Adil Olluri, tregoi se qëllimi primar i këtij libri ishte që ta krijonte një personazh të profetit i cili ishte më shumë sofist.
“Qëllimi im primar ishte që ta krijoj një personazh të profetit që është më shumë sofist sesa profetit i cili njihet dhe na jep religjioni. Edhe në fillim të tregimit shkruan që ky nuk është profeti që e gjeta mes jush por e solla unë, gjë që arti ta lejon”, u shpreh Olluri.
Olluri tha se në shumicën e rasteve tregimet kanë lindur në mënyrë spontane gjatë procesit të të shkruarit.
“Shumë tregime kanë lindur spontanisht gjatë procesit të të shkruarit, shpeshherë ka ndodhur duke e shkruar një tregim të lind ideja për një tregim tjetër”, u shpreh autori Olluri.
Në programin e sotëm të promovimeve, u përuruan edhe dy libra të rinj të autorit Agron Shala “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”. Këta lira konsiderohen si vepra që kanë kaluar pritshmëritë, pasi që në këto vepra është një lloj kombinimi i dijeve, ku autori Agron Shala, trajton filmin, muzikën, letërsinë si dhe në veprat e tij ka kuptim dhe përcjell mesazh të rëndësishëm.
Në promovimin e dy librave të tij, autori Agron Shala, falënderoi Kolegjin AAB për mundësinë e promovimit të librave, duke shpjeguar se në librin “Andrra në beze” është munduar që të zbërthejë problemet mes veprave artistike nga bota.


“Jam munduar që problematikën, realitetin tonë shqiptar jo vetëm në aspektin kulturor por edhe në aspektin politik, sociologjik ta ndërthurim me shembuj nga bota. Si pikënisje e kam marrë filmin, dhe janë 20 ese që si pikënisje i kanë 20 filma, pra realitet që trajton problematikat dhe i kam ndërlidhur edhe me realitetin tonë”, u shpreh autori Shala.
Ndërsa për veprën “Korça sipas një kosovari”, autori shpjegoi që ky libër është si një guidë për këtë qytet, pra është një histori shumë mirë e përmbledhur. Ai, tutje shtoi se fatkeqësisht kosovarët me qytetarët e Korçës i bashkojnë më së shumti problemet, pasi që ai konsideroi se në dy vendet ka zhgënjime nga politika e shpërngulje të mëdha.
Të tre librat e promovuar sot në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, janë botime të Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.
Panairi Vjeshtor i Librit në Kolegjin AAB do të jetë i hapur edhe nesër, ndërsa të gjitha shtëpitë botuese pjesëmarrëse kanë ofruar çmime speciale për vizitorët.